image Apeli merr vendim për 21 të dyshuarit në rastin “Subvencioni”

Drejtësi

Apeli merr vendim për 21 të dyshuarit në rastin “Subvencioni”

news image

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë 21 të dyshuarve në rastin “Subvencioni”.

Kjo gjykatë gjithashtu e ka lënë në fuqi edhe vendimin e shkallës së parë për 9 të dyshuarit tjerë, të cilëve masa e paraburgimit iu ishte zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 2 janar 2022, të pandehurve Ramiz Ramosaj, Halil Hasani, Njazi Ibrahimi, Bajram Gashi, Jeton Sylaj, Granit Lubeniqi, Bashkim Mani, Deli Metaj, Gjon Musolli, Eduard Musollaj, Dukagjin Mavraj, Sadush Kabashi, Halit Avdijaj, Shemsedin Metaj, Halit Berisha, Fatmir Shala, Burim Selmani, Afrim Fazlija, Luigj Musollaj, Arif Idrizaj dhe Burim Shabanaj, ua kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

Ndërsa të pandehurit Lulzim Kurti si zyrtar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Festim Omuraj, Milit Basha, Leonard Musollaj, Dinë Zogaj, Adrian Ramqaj, Afërdita Gjokaj, Sevdije Qeli, Alban Novosella, masa e paraburgimit iu është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 muaj, nga 3 janari e deri me 3 mars 2022.

Sipas vlerësimit të Apelit, aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj, sepse ekziston dyshimi se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se këta fermer kishin ndikuar tek zyrtarë e AZHB-së me qëllim që emrat e tyre të futen në listën e përfituesve të subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

/GazetaSinjali/