image Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së dyfishtë në Kosuriq të Pejës

Drejtësi

Apeli kthen në rigjykim rastin e vrasjes së dyfishtë në Kosuriq të Pejës

news image

Gjykata e Apelit e ka prishur aktgjykimin dënues të Gjykatës së Pejës, e cila e dënoi me 23 vjet burgim efektiv Binak Panxhën, të akuzuarin për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve, Ramiz e Arsim Berisha, në pyllin e familjes Panxha.

Këtë vendim Apeli e mori pasi që aprovoi ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, të angazhuar në shkallën e dytë, avokatit Besnik Berisha.

Po ashtu, Gjykata e Apelit gjeti se vendimi gjyqësor ishte i përshirë në shkelje procedurale.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli ka theksuar se Gjykata e Pejës kishte bërë vlerësim selektiv të provave, pasi nuk kishte arsyetuar dhe vlerësuar të gjitha provat që ishin administruar në shqyrtim gjyqësor.

“Në fakt, në arsyetimin e aktgjykimit paraqitet përmbajtja e të gjitha provave të administruara në shqyrtim gjyqësor (dëshmitë e dëshmitarëve dhe provave materiale), mirëpo nuk ka dhënë asnjë arsye lidhur me vlerësimin e tyre (përveç tri provave-analiza e telekomunikimeve), përkatësisht nuk jep arsye lidhur me besueshmërinë e provave tjera”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Gjykata e Pejës kishte argumentuar se i pandehuri ishte autor i vrasjes së dyfishtë, bazuar në faktin se i pandehuri Binak ishte duke ruajtur malin e tij disa ditë para ngjarjes kritike dhe se i njëjti ishte në vendin e ngjarjes në kohën e vrasjeve. Këto fakte, Gjykata e Pejës i kishte bazuar në mesazhet e nxjerrë nga telefoni i Binak Panxhës dhe pas analizimit, rezulton se hartografia përfshinte antenën që mbulonte vendin e ngjarjes.

Mirëpo, këtë konkludim Apeli e ka konsideruar të izoluar në raport me mbrojtjen e të pandehurit Panxha, i cili pretendon se në natën kritike, telefonin e tij nuk e posedonte, pasi të njëjtin e kishte përdorur bashkëshortja e tij, e cila sipas të pandehurit, kishte shkuar në një aheng në fshatin Buqan, ndërsa për këto pretendime gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë arsyetime.

“Sipas të cilit, telefonin e tij atë pasdite dhe në mbrëmje ishte në një ndejë (kanagjeq) në fshatin Buqan, i cili mbulohet si nga antena e Vranoci G2 ashtu edhe nga antena Kosuriq G2, fakte këto që lehtësisht do të vërtetoheshin, e as që jepet ndonjë arsyje pse nuk ia falë besimin mbrojtjes së tij në këto rrethana. Për më tepër, bashkëshortja e të akuzuarit as që është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarës për t’i sqaruar rrethanat e pretenduara nga i akuzuari”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Sipas Apelit, provat e hartografisë në të cilat ishte thirrë gjykata e Pejës, përbënin indicie të mjaftueshme se i akuzuari ishte autor i krimit, mirëpo në anën tjetër, sipas Apelit në vendin e ngjarjes nuk ishte gjetur ADN-ja e të akuzuarit, e që në këto rrethana, sipas Apelit, Gjykata e Pejës do duhej të vërtetonte të gjitha faktet tjera të pretenduara nga palët.

“Atëherë gjykata është dashtë t’i vërtetojë të gjitha faktet tjera të pretenduara nga palët për të vërtetuar plotësisht faktin relevant se a ishte i akuzuari natën kritike në vendin e ngjarjes dhe a ishte ai personi që ka privuar nga jeta tani të ndjerët Ramiz dhe Arsim Berisha”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndërkaq, në lidhje me dëshminë e dëshmitarit Jetlir Gashi, Apeli vlerëson se Gjykata e Pejës fare nuk kishte vlerësuar dëshminë e tij kur i njëjti në polici kishte deklaruar se në natën kritike, personat që i kishin thënë të ndjerit Ramiz “ndal ku po don”, kishin zë të ngjashëm me personat e dyshuar të cilët ishin sjellur në paraburgim për vrasjen e vëllezërve Berisha,

“Gjykata e shkallës së parë lidhur me këtë deklaratë të dëshmitarit nuk ka dhënë asnjë arsye e as që ka bërë përpjekje për të vërtetuar se a është në gjendje dëshmitari të dallojë zërin e të akuzuarit gjatë rekonstruimit të vendit të ngjarjes edhe pse ishin të pranishëm edhe i akuzuari dhe dëshmitari”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Vërtetimin e këtij fakti Apeli e konsideron të rëndësishëm edhe për vërtetimin e numrit të kryesve të vrasjes, pasi që viktimat ishin bartur deri nga 60 metra distancë nga vendi i vrasjes së tyre pa lënë asnjë gjurmë.

“Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, fakti se vrasja është kryer në malin familjes Panxha dhe se ata ishin duke e ruajtur malin, padyshim janë indicie shumë serioze që e bëjnë dyshimin e bazuar se i akuzuari mund të jetë kryes i mundshëm i vrasjes, por akoma nuk kemi të bëjmë me faktet vendimtare të vërtetuara, pasi që as raporti i vendit të ngjarjes, që ishte kryer pas një kohe shumë të shkurtër pas vrasjes dhe fotodokumentacioni nga vendi i ngjarjes, raporti i autopsisë apo provat tjera materiale, nuk rezultojnë shenja në bazë të cilat do të vërtetohej mënyra e zhvendosjes, e në anën tjetër ekspertizat përkatëse të ADN-së, daktiloskopisë dhe traseologjisë dhe të ekzaminimit të veturës të akuzuarit, ishin negative (edhe pse këto prova nuk e përjashtojnë në mënyrë absolute prezencën e të akuzuarit në vendin e ngjarjes)”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, më 16 shkurt 2021, Panxha është gjykuar me 23 vjet burgim efektiv. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, në dënimin e të akuzuarit llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Aktakuza e ngritur më 13 gusht 2017 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Binak Panxhën se më 21 korrik 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të akuzuarit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drunj në pyllin e të akuzuarit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirrë tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga nenit 179, par.1, lidhur me pikën 1.11 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm./Gazeta Sinjali/