Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella, dhe për mbajtje të paautorizuar të armës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit zyrtar në Facebook, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Në aktgjykimin PKR.nr.74/2024 të datës 3 shkurt 2025, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur fajtor Lajçin për vrasje të rëndë, sipas nenit 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPK-së, dhe për armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Në dënim është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 16 prilli 2024. Po ashtu, arma e krimit – një pistoletë “Zoraki 917-T” me karikator dhe 5 fishekë – është konfiskuar dhe do të shkatërrohet pas plotfuqishmërisë së vendimit.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është i ligjshëm dhe i bazuar në prova të plota, përfshirë pranimin e fajësisë nga i akuzuari, duke theksuar se nuk ka rrethana që e përjashtojnë atë nga përgjegjësia penale.
Në arsyetim thuhet se dënimi i shqiptuar është në funksion të parandalimit të veprave penale, rehabilitimit të kryerësit, dhe shprehjes së gjykimit shoqëror për krimin e kryer.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!