image Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

Drejtësi

Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

news image

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin është konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi.

Bashkë me të akuzuarin Latifi po akuzohet edhe ish-drejtori i Administratës dhe Financave në KPM, Arben Bilalli, por që ai dhe mbrojtësi i tij, nuk kanë paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se gjykata e shkallës parë pas kthimit të rastit në rivendosje më 2 dhjetor 2021, ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Latifi.

Ajo ka thënë se Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2021 ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021 ngarkon Latifin e Bilallin se gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve u kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke i thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuarit Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilën ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime dy të akuzuarit po dyshohen për veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme  me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/