image Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-shefit të AKI-së dhe dy zyrtarëve tjerë për rastin e “Gylenistëve”

Drejtësi

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-shefit të AKI-së dhe dy zyrtarëve tjerë për rastin e “Gylenistëve”

news image

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e ish-shefit të ALKI-së, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi dhe drejtorit për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve D.G., avokat Florent Latifaj, V.K., avokat Ekrem Hoxha, dhe R.S., avokat Flakron Sylejmani, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr. 8/2021 i datës 26.08.2021, VËRTETOHET”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria. Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq, i njohur si rasti i “Gylenistëve”, nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018.

Pretendimet e mbrojtjes, sipas Apelit janë të pabazuara, pasi siç thuhet në aktvendim në esencë asnjëra prej pretendimeve në ankesë nuk përmban asnjë provë me të cilën do të vërtetohej e kundërta e aktakuzës, ashtu që edhe kërkesat mbi hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave janë të pabazuara.

Sipas këtij vendimi, rrjedh se i akuzuari nuk kishte informuar institucionet që duhej informuar sipas ligjit për AKI-në.

Aktakuzat ndaj tyre u ngritën nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 24 shkurt të vitit 2021 dhe u konfirmuan më 21 maj të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 
/GazetaSinjali/