Gjykata e Apelit ka njoftuar se i është zbutur dënimi, nga 14 vjet burgim në 10 vjet burgim, Remzi Shalës, të akuzuari për krime lufte.
Nga kjo gjykatë thonë se zbutja e dënimit është bërë, pasi që Gjykata e Shkallës së Parë i kishte mbivlerësuar rrethanat rënduese.
“Arsyet që e ka shtyrë kolegjin e Apelit që të zbusë dënimin, është fakti se i akuzuari (R.SH.) është akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës H.P., por jo për vrasjen e tij. Në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat rënduese për të akuzuarin që kanë ndikuar në lartësinë e dënimit”, thuhet në komunikatë.
Sipas kolegjit të Apelit, vepra penale nuk mund të kualifikohet me dy ligje, pra edhe me ligjin penal të Jugosllavisë të vitit 1977 edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës në fuqi nga viti 2013. Në rastin konkret, aplikohet Ligji Penal Jugosllav, në fuqi në kohën e kryerjes së vepër penale, si ligj më i favorshëm për të pandehurin, sepse dënimi maksimal që parashihej me këtë ligj ishte 15 vite burgim, apo në rrethanat më të rënda, 20 vite burgim.
“Gjykata e Apelit gjeti se në veprimet e të akuzuarit manifestohen vetëm elementet e veprës penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal Jugosllav, lidhur me nenin 3 (1.a) të Konventës së IV të Gjenevës, por jo edhe elementet e veprës penale nga nenit 152 par. 1 dhe 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Remzi Shala i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, ishte ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë më 11 dhjetor të kaluar, për tu intervistuar më 17 janar të këtij viti. /Gazeta Sinjali/