image Apeli e liron Sadri Ramabajën, "Syri i Popullit" kthehet në rigjykim

Drejtësi

Apeli e liron Sadri Ramabajën, “Syri i Popullit” kthehet në rigjykim

news image

Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin “Syri i Popullit”, duke e liruar kështu nga masa e paraburgimit të pandehurin Sadri Ramabaja, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu bëri të ditur kjo gjykatë, përmes një komunikate për media, në të cilin njoftohet se ndryshe nga Ramabaja, Avni Llumnica dhe Murat Jashari do të vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, vendosi që të pandehurit A.Ll. dhe M. J. të mbeten nën masën e paraburgimit, deri sa gjykata e shkallës së parë të marrë vendim tjetër, ndërsa të pandehurit S.R., t’i ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në kumtesë.

Ky aktvendim i Apelit e kthen në rigjykim rastin në fjalë, për shkak të gjetjeve që gjykata e shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktive nuk është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë, si dhe është shkelur ligji penal.

Kujtojmë që Avni Llumnica muaj më parë, ishte shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë për veprat penale ”Hakmarrje në ndihmë”, “Sulm Seksual“ dhe ”Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, për të cilat është gjykuar më 12 vjet burgim. Sadri Ramabaja, Ragip Sallova, Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin shpallur fajtorë për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Sadri Ramabaja ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 5 vjet, Ragip Sallova me 4 vjet burgim dhe Halim Halimi me 3 vjet burgim.

Bajrush Konjusha ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe është dënuar me dënim unik me burgim për 3 vjet. Rexhep Topllana për veprën penale “Mos lajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” është dënuar me 2 vjet burgim. Ndërsa, Behxhet Luzha për veprën penale “Mos lajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre“, është dënuar me 3 vjet burgim.

Ndaj të akuzuarit tjetër të këtij rasti Murat Jashari ishte shqiptuar Masa e Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik me Ndalim në Institucionet e Kujdesit Shëndetësor për 10 vjet, për shkak të veprave penale “Hakmarrja”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./Gazeta Sinjali/