image Apeli e kthen në rigjykim rastin për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve

Drejtësi

Apeli e kthen në rigjykim rastin për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe tre të tjerëve

news image

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili në shkurt të këtij viti ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Gjakovë, nën akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës në fjalë.

Në rigjykim është kthyer edhe pjesa ndaj ish-zyrtarëve tjerë të kësaj komune Gani Rama dhe Ismet Isufi. I akuzuari Rama ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht.

Po ashtu, rasti është kthyer në rigjykim edhe ndaj të akuzuarit për mashtrim me subvencione, Veli Hajdaraga.

I njëjti akuzohej edhe për shmangie nga tatimi, për të cilën vepër ai është dënuar me 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, dënim i cili është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

I akuzuari Hajdaraga është obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24,718.59 euro, në afat prej 6 muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në gusht të vitit 2019, lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema, pasi sipas tij, këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të jetë  218.956.67 euro.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hidhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve, raporton Betimi për Drejtësi.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

/GazetaSinjali/