image Apeli e kthen në rigjykim për një pikë të aktakuzës rastin ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Drejtësi

Apeli e kthen në rigjykim për një pikë të aktakuzës rastin ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve

news image

Gjykata e Apelit ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin në të cilën ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, raporton Gazeta Sinjali.

Ky aktvendim i gjykatës së shkallës së dytë u mor rreth një muaj pasi që e liroi Tolajn nga akuzat për korrupsion.

Apeli ka vendosur të anulojë aktgjykimin lirues që shkalla e parë kishte nxjerrë në nëntor të vitit 2019 ndaj Tolajt dhe të akuzuarit tjerë, Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.

Të gjithë këta të akuzuar do të gjykohen edhe njëherë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Gjykata e Apelit, e ka  aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, në rastin e të akuzuarve I.T., A.P. H.F., B.F. dhe Z.K. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 25.11.2019,  në pikën 2 të  pjesës liruese, sa i përket aktakuzës 1, për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit nga neni 422 par.1 dhe 423 lidhur me nenin 81 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (pika 1.7 dhe pika 1.9)është prishur dhe çështja i është kthyer gjykatës së njëjti në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq, Apeli e ka ndryshuar edhe pikën II të aktakuzës, nga e cila ishin liruar të akuzuarit, duke ardhur në përfundim se për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Pika II e pjesës liruese, të aktgjykimit në fjalë, për veprën penale nga akuza 1, pika 1.8 dhe akuza 12, është ndryshuar, ashtu që aktakuza në këtë pjesë është refuzuar, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale” – thuhet në njoftimin e Apelit.

Kjo gjykatë e ndryshoi edhe pikën e parë të pjesës refuzuese të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, duke e refuzuar kështu aktakuzën e prokurorisë, pasi që këto vepra, sipas Apelit, janë gjykuar me aktgjykim të formës së prerë.

“Pjesa tjetër e aktgjykimit, konkretisht në pikën 1 të pjesës refuzuese, për veprat penale nga akuza 1 pika 1.1, 1.2, 1.3, 1.6, dhe akuza 2 për të akuzuarit I.T. dhe A.P, është vërtetuar”, përfundon njoftimi i Gjykatës së Apelit.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe të akuzuarit tjerë, Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha, më 25 nëntor 2019, ishin shpallur të pafajshëm për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar./Gazeta Sinjali/