Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë apel ndaj qytetarëve që të përdorin me kujdes ujin e pijshëm, pas rritjes së ndjeshme të konsumit gjatë periudhës së verës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, rritja e kërkesës për ujë po ndikon në furnizimin e qëndrueshëm, prandaj është e domosdoshme përdorimi i përgjegjshëm i këtij burimi jetik.
KRU “Prishtina” u ka kërkuar qytetarëve që të shmangin përdorimin e ujit të pijshëm për ujitjen e oborreve dhe kopshteve, larjen e trotuareve dhe hapësirave publike apo private, mbushjen e pishinave dhe rezervuarëve privatë, si dhe lënien e çezmave të hapura pa nevojë.
Në apel theksohet se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të siguruar furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë për të gjitha familjet, institucionet dhe bizneset.
“Me bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e secilit qytetar, mund të sigurojmë furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjitha familjet, institucionet dhe bizneset. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe kontributin tuaj në ruajtjen e këtij burimi të çmuar jetik”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!