image Anulohet vendimi i ZRRE-së për tarifa nxitëse për 20MW energji solare: Skemë e kundërligjshme

Kosovë

Anulohet vendimi i ZRRE-së për tarifa nxitëse për 20MW energji solare: Skemë e kundërligjshme

news image

Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) e ka anuluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të KNSH-së, ky vendim është anuluar pasi që kjo skemë është e kundërligjshme sepse ZRRE-ja ka nënshkruar këtë marrëveshje pa dijeninë dhe autorizimin e saj.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRRE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore”, thuhet në komunikatë.

KNSH-ja e cila ka kompetencë t’i lejojë dhe anulojë vendimet që janë ndihmë shtetërore, nuk e ka autorizuar këtë skemë pasi që nuk i ka përmbushur kushtet e përgjithshme të përcaktuara me Udhëzuesin e BE-së për ndihmë shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore pasi që ka konstatuar se skema e ZRRE nuk ka përmbushur kushtet e përgjithshme (relevante) të përcaktuara me Udhëzuesin e BE për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë 2014-2020 (EEAG) 1 , bazuar në nenin 14 (1.3) i Ligjit Nr. 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore, vendosi që skema ‘Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 megavat të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës’ është ndihmë shtetërore e ndaluar dhe nuk e ka autorizuar atë”, thuhet në komunikatë.

Me këtë vendim, KNSH obligon ZRRE-në që të mos e zbatojë skemën mbështetëse në fjalë dhe duhet të marr obligim për t’i njoftuar ata në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore përmes këtij vendimi (17/2020) obligon ZRRE që të mos zbatojë skemën mbështetëse në fjalë. Gjithashtu, ZRRE merr për obligim për të njoftuar Komisionin e Ndihmës Shtetërore, në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi”, shkroi Komisioni i Ndihmës Shtetërore.

Po ashtu, Komisioni ka ftuar ZRRE-në që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së, të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit.

“Tutje, Komisioni fton ZRRE që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) konform praktikave të mira dhe në favor të interesit publik”, shkroi KNSH./Gazeta Sinjali/