image Anulohet seanca në rastin e Donjeta Pajazitajt, vëllai i saj thotë se procesi po shtyhet deri sa të vdes i akuzuari

Drejtësi

Anulohet seanca në rastin e Donjeta Pajazitajt, vëllai i saj thotë se procesi po shtyhet deri sa të vdes i akuzuari

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka anuluar mbajtjen e seancës gjyqësore në rastin e Donjeta Pajazitaj. Lajmin e ka bërë të ditur vëllai i viktimës, Shkelqim Pajazitaj përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shkruar se seanca ishte paraparë të mbahej sot në orën 10:00, dhe njoftimi që është anuluar i është dërguar atij sot në orën 08:26.

Shkelqimi thotë se si familjar të Donjetës mendojnë se seancat po anulohen shumë herë dhe do t’i anulojnë deri në ditën kur do të vdes i akuzuari dhe se e vërteta do të mbetet mister përgjithmonë.

“Seanca ishte paraparë të fillojë nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, e njoftimi që nuk do të mbahet na vjen në ora 08:26, me arsye se nuk mund ta sjellin të akuzuarin në Gjykatë, a thu sot nuk do të mbahet asnjë gjyq sepse nuk paska transport shteti t’i sjellin të akuzuarit, apo vetëm për të akuzuarin për vrasjen e Donjetës nuk po mujka shteti t’i sigurojë transport”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Naser Pajazitaj është kushëri i familjes së viktimës. Ai fillimisht ishte liruar nga akuzat për mungesë të provave. Në mars të vitit 2019, ai u gjet fajtor dhe u dënua me burg të përjetshëm, por rasti u kthye në rigjykim.

Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur në bjeshkët e Strellcit në komunën e Deçanit, në dhjetor të vitit 2015.

/GazetaSinjali/