Të premten ishte paraparë të mbahej seanca e radhës në rastin ndaj Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, mirëpo e njëjta është anuluar.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Tomë Gashi, që mbron të akuzuarën Rade Basara, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
“Sot nga Gjykata Themelore ne Prishtinë jemi njoftuar se: Seanca e nesërme e datës 17.09.2021 në rastin e ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me vrasjen e Oliver Ivanović, është anuluar për shkak te situatës së krijuar me pandemi COVID-19, kjo si rrjedhojë e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me të cilin nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 20 personave. Rasti është shtyrë në kohë të pacaktuar”, ka shkruar avokati Gashi.
Ndryshe, edhe seanca e 14 shtatorit ishte anuluar paraprakisht.
Në seancën e mbajtur më 6 korrik të këtij viti, pasi aktakuza është konsiderua e lexuar, gjashtë të akuzuarit nuk pranuan fajësinë për akuzat lidhur me vrasjen. Mirëpo, Zharko Jovanoviq ka pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
PSRK fillimisht kishte ngritur aktakuzë më 27 dhjetor 2019 kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.
Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje tani të ndjerit Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë.
Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.
Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, raporton Betimi për Drejtësi.
Me këtë akuzohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /GazetaSinjali/