image Anulimi i homologimit për veturat e reja, vjen reagimi i parë nga kabineti i Pal Lekajt

Kosovë

Monopoli/ Anulimi i homologimit për veturat e reja, vjen reagimi i parë nga kabineti i Pal Lekajt

news image

Pas deklaratës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për anulimin e homologimit për automjetet e reja të prodhuara në vendet e BE-së, Gazeta Sinjali, ka kontaktuar Argjend Zejnaj -shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Gjatë bisedës Zejnaj tha se Ministria e Infrastrukturës është në rrugë të mirë për ta liberalizuar tregun lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.

“Krejt çka është duke ndodhur, është duke u tentuar të liberalizohet tregu ashtu siç ka kërkuar Bashkimi Evropian, me u bë liberzlizimi i shërbimit, jo me ndodh me një vend dhe me një çmim po me ndodh në shumë vende. Është në rrugë të mirë me u liberalizu tregu i këtij shërbimi”, tha për Gazetën Sinjali Argjend Zejnaj -shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

I pyetur se kur është marrë vendimi për anulimin e homologimit për veturat e reja të prodhuara në vendet e BE-së, Zejnaj nuk dha shumë detaje,  “Ajo çka ka thënë zyra e BE-së i mbetet atyre. Unë po them që MI është angazhuar të ndodhë liberalizimi i tregut për këtë shërbim”.

Shtoi se MI po tenton që shërbimi i homologimit të mos jetë i koncentruar vetëm në një adresë.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga vetë Pal Lekaj, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe SMS-ve të gazetës.

Rikujtojmë se kundër monopolit të Devollëve përveç qytetarëve kanë dalur edhe ndërkombëtarët. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, shkruante se nuk po arrinë ta kuptojë logjikën e homologimit për veturat që vijnë në gjendje të rregullt nga Europa.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provon ta kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, thuhet në reagimin e Heldt.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shkruante se monopoli bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe praktikave të BE-së.

“Për momentin për shkak të këtij udhëzimi administrativ, është vetëm një kompani që i bën kontrollet e homologimit. Së pari, ky është monopol në treg, që bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe është kundër acquis communautaire (legjislacion të BE-së) tonë.

Së dyti, është edhe më shqetësuese fakti që të gjitha këto kontrolle kryhen vetëm në Prishtinë dhe kushtojnë 125 euro. Pra, qyetarët duhet të udhëtojnë nga e tërë Kosova në Prishtinë për ta bërë kontrollimin këtu, që nuk është praktikë askund gjetiu në botë.

Së treti, që gjithashtu është mjaft tronditëse, është fakti që edhe nëse keni certifikatë evropiane për konformitet, që është për një veturë të re të cilën e importoni në Kosovë, qytetarët janë përsëri të obliguar që ta bëjnë homologimin. Pra, certifikatat evropiane të lëshuara nga Gjermania, Franca, Italia, etj, nuk njihen”, shkruante Apostolova.

Ndërsa, kohë më parë në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologimin e automjeteve./Gazeta Sinjali/