image Ankaraja e quan terrorizëm sulmin në selinë e aviacionit shtetëror turk

Evropë

Ankaraja e quan terrorizëm sulmin në selinë e aviacionit shtetëror turk

news image

Katër persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në atë që qeveria e quajti një sulm terrorist në selinë e Kompanisë turke të Aviacionit (TUSAS) të mërkurën.

Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe një shpërthim në një vend pranë Ankarasë.

Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se dy personat që kryen sulmin ishin vrarë në vendngjarje, duke shtuar se tre nga të plagosurit ndodheshin në gjendje kritike për jetën.

Në median turke u transmetuan pamjet e personave të armatosur duke hyrë në ndërtesën e TUSAS-it.

Në një konferencë në kuadër të takimit të grupit ekonomik BRICS që mbahet në Kazakistan, Presidenti turk Tajip Erdogan me në krah Presidentin Vladimir Putinin e dënoi sulmin.

Zoti Erdogan pranoi gjithashtu ngushëllimet e zotit Putin.

Po kështu sulmi u dënua nga NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në një postim në median sociale X, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se aleanca ushtarake qëndron krah aleatit të saj, Turqisë.

Njoftimet për të vdekur dhe të plagosur në Ankara janë thellësisht shqetësuese. NATO qëndron krah aleatit të saj, Turqisë. Ne dënojmë fuqishëm terrorizmin në të gjitha format e tij dhe po monitorojmë nga afër zhvillimet“, shkruante ai.

Identiteti i autorëve të sulmit mbetet ende i paqartë.

Deri tani asnjë grup nuk kishte marrë përgjegjësinë mbi ngjarjen. Agjencia shtetërore ‘Anadolu’ njoftoi se prokurorët kishin nisur një hetim mbi sulmin.

Disa media pretenduan se bëhej fjalë për një sulm vetëvrasës dhe se brenda ndërtesës kishte pengje, por zyrtarët nuk e konfirmuan një gjë të tillë.

Dëshmitarët i thanë agjencisë ‘Reuters’ se punonjësit brenda ndërtesës ishin marrë nën mbrojtjen e autoriteteve dhe se askush nuk ishte lejuar të largohej për disa orë.

Të tjerë dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar shpërthime në dalje të ndryshme të ndërtesës ndërsa punonjësit e kompanisë që kishin përfunduar orarin zyrtar të punës, po largoheshin.

Dëshmitarët më vonë thanë se evakuimi i personelit nga selia e TUSAS-it kishte filluar dhe se autobusë të mbushur me njerëz ishin lejuar të largoheshin me përfundimin e operacionit.

Televizionet transmetuan pamje të një porte të dëmtuar dhe shkëmbim zjarri në një parkim. Po kështu pamjet tregonin sulmuesit e armatosur teksa hynin në ndërtesë me çanta shpine në kurriz. Më vonë u panë të mbërrijnë ambulanca dhe helikopterë.

TUSAS-i është kompania më e madhe prodhuese e mjeteve ajrore në Turqi, mes tyre helikopterë luftarakë dhe civilë. Ajo po prodhon edhe avionin e parë luftarak të vendit, KAAN.

Kompania në pronësi të qeverisë turke ka një personel prej më shumë se 10,000 punonjësish. /VOA

/GazetaSinjali/