Federata Angleze e Futbollit (FA) është duke shqyrtuar mundësinë e paraqitjes së një apeli zyrtar për të kërkuar anulimin e kartonit të kuq të marrë nga mbrojtësi Jarell Quansah në ndeshjen ndaj Meksikës.
Përjashtimi i Quansah ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në kampin anglez, ndërsa trajneri Thomas Tuchel reagoi ashpër pas përfundimit të takimit, duke kritikuar vendimet e arbitrave dhe përdorimin e sistemit VAR.
Tekniku gjerman vuri në pikëpyetje dy momentet kyçe të ndeshjes: kartonin e kuq të Quansah dhe penalltinë e akorduar për Meksikën. Sipas tij, të dy vendimet ishin të padrejta dhe ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e sfidës.
Ndërkohë, çështja ka marrë edhe një dimension politik. Partia Laburiste në Britaninë e Madhe, përmes deputetit Noah Law, i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar pezullimin e sanksionit ndaj Quansah.
Në letër kërkohet që mbrojtësi anglez të lejohet të luajë në ndeshjen e ardhshme ndaj Norvegjisë, ndërsa FA po punon paralelisht për rrugën ligjore të apelimit. Situata ka shtuar presionin mbi FIFA-n, e cila pritet të marrë vendimin përfundimtar lidhur me rastin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!