Modelja e njohur shqiptare, Angela Martini ka folur për librin e saj të parë, i cili sapo ka dalë në treg, “Love, Hope, Light” (“Dashuri, Shpresë, Dritë”).
E ftuar në emisionin “Opinion”, Martini bëri me dije se në libër e ka trajtuar ndër të tjera edhe fëmijërinë dhe adoleshencën me dy prindër të divorcuar, si dhe sesi dikush ka tentuar ta rrëmbejë në moshën 10-vjeçare. Ajo nuk ngurroi që këto ngjarje t’i ndante edhe në studio.
“Ishte zheg dhe familjarët e mi ishin në gjumë, kurse unë po luaja përjashta me një shoqe. Një burrë m’u afrua, më pyeti për familjen dhe më tha se njihte tim atë. Kur i thashë se ai ishte në Zvicër, ai më ofroi akullore dhe më kapi për dore. Kur pashë makinën e tij me disa burra të tjerë brenda, e kuptova çfarë po ndodhte. I kafshova dorën dhe u largova”-tregoi Angela.
Modelja tregoi më tej se bashkëjetesa me njerkën ka qenë tepër e vështirë, pasi kjo e fundit e keqtrajtonte, duke krijuar intriga, mashtrime, madje duke penguar edhe nënën e Angelës që ajo të bashkohej me të bijën në Zvicër. “Marrëdhënia ishte si historia e Borëbardhës. Ajo nuk më donte mua. Nuk e shihja këtë vetëm te ngrohtësia, por edhe mashtrimet dhe shpikjet”-tha modelja.
Për marrëdhëniet aktuale me të atin, Martini u shpreh se takohet me të njëherë ose dy herë në vit. Risjellim në vëmendje se Angela Martini është martuar me miliarderin rumun Dragos Savulescu, i shpallur në kërkim prej disa kohësh tashmë, pasi akuzohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentacioni të trashëgimisë së disa pronësive në bregdet. /Gazeta Sinjali/