image PDK rehaton dhe një anëtare në Posten e Kosovës

Kosovë

Punësim/ PDK rehaton dhe një anëtare në Posten e Kosovës

news image

Arbulena Gashi, anëtare e kryesisë së PDK-së në Drenas është avancuar muajin e kaluar në Postën e Kosovës. Ajo në një konkurs të brendshëm të këtij institucioni publik, muajin e kaluar ka fituar postin e arkivistes, raporton Sinjali

Sinjali nga burimet e veta merr vesh se përveç pozitës që mban në PDK, ajo është e afërt edhe me Sejdi Hoxhën, i cili deri muaj më parë kishte qenë drejtor ekzekutiv i Postës së Kosovës.

Ai pas dorëheqjes u bë pjesë e PDK-së, duke udhëhequr këtë parti në Drenas, aty ku është anëtare e kryesisë Arbulena Gashi.

I kontaktuar nga Sinjali, Hoxha, ka mohuar lidhjen e afërt me Gashin si dhe ndikimin që ai mund të kishte pasur në këtë çështje. Ai ka thënë se nuk ka lidhje direkte me të, por se ajo mund të jetë nga një fshat ku Hoxha mund të ketë të afërm.

Sipas tij, Kosova është e vogël, prandaj mund të ketë raste që ndërlidhen me të.

“Nuk e kam sebep as lidhje familjare nuk e kam dhe as asgjë. Ajo është nga një fshat ku unë mundem me pas diçka, direkt nuk e kam asgjë dhe nuk kam interferuar dhe komisioni e ka zgjedhur. Dikush pa e lidh me dikë nuk e len për shkak se Kosova është e vogël”, ka deklaruar ai për Sinjalin..

Hoxha ka pranuar se Gashi është pjesë e PDK-së në Drenas, por ka thënë se nuk e di pozitën që ajo ka.

“Është pjesë e strukturave në Drenas, por përmendsh nuk e di saktë. Kur është bërë përzgjedhja unë nuk kam qenë pjesë e Postës hiç, as nuk e kam ditur që është zgjedhur prej teje e mora vesh që qenka përzgjedhur”, ka deklaruar ai.

Më tutje Hoxha, ka mohuar ndikimin e tij në avancimin e Gashit, ka thënë se gjithçka është në rregull përderisa i plotëson kriteret si dhe nuk ka shkelje ligjore.

“Komisioni vendos se a i plotëson kriteret dhe se a ka qenë e mirë në intervistë apo jo, ligji nuk ia ndalon me apliku askujt, por tash jo është e LDK-së, jo e PDK-së, jo e AAK-së, me rëndësi është a i plotëson kriteret, a i ka shkelje ligjore si dhe a ka konflikt interesi. Unë se kam asgjë. As nuk e kam themeluar komisionin e as nuk e kam përzgjedh. Ajo është pozita më e dobët në kompani”, ka deklaruar Hoxha.

Sinjali ka kontaktuar edhe Arbulena Gashin, lidhur me avancimin e saj në Postën e Kosovës. Kur është pyetur nëse ka ndikuar Partia Demokratike e Kosovës në avancimin e saj, ajo i ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo”, ka deklaruar ajo.

Ka thënë se ajo është zgjedhur në këtë pozitë për shkak se i ka plotësuar kriteret e konkursit.

“Jo s’ka lidhje aspak kjo me të unë punoj edhe ashtu qe 5 vite në Postë dhe duke marr parasysh që i kam plotësuar të gjitha kushtet e konkursit dhe pastaj gjitha procedurat tjera të mbajtura me atë konkurs jam përzgjedhur për detyrën e re”, ka deklaruar ajo.

Kujtojmë se Sejdi Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit ekzekutiv të Postës së Kosovës më 7 gusht të këtij viti. Në ndërkohë më 17 korrik ai kishte fituar pozitë udhëheqëse në PDK. Sejdi Hoxha ishte zgjedhur kryetar i PDK-së në Drenas.

Po në të njëjtën ditë kur Sejdiu ishte zgjedhur kryetar i PDK-së në Drenas, Arbulena Gashi ishte zgjedhur anëtare e kryesisë së kësaj partie./Sinjali/