image Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dritare për më shumë drejtësi

Politikë

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dritare për më shumë drejtësi

news image

Anëtarësimi i pritshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë një instrument i rëndësishëm për qytetarët, në rastet kur janë viktima të shkeljes së të drejtave të tyre.

Të qenët pjesë e këtij mekanizmi mund të jetë një ndihmesë e madhe për Bekim Gashin nga Tërnja – Komuna e Suharekës – i cili, tash e 23 vjet, nuk ka gjetur drejtësi për nënën dhe katër motrat e vrara nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Gashi ka qenë dëshmitar në një gjykatë të Beogradit, në procesin gjyqësor kundër dy ushtarakëve serbë, Pavlle Gavrilloviq dhe Rajko Kozllina, të akuzuar për masakrën në Tërnje. I pari është liruar nga akuzat, ndërsa i dyti ndodhet në arrati qëkur është dënuar me 15 vjet burgim, në vitin 2019.

Gashi thotë se aplikimi i Kosovës për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës e ka motivuar atë edhe më shumë për të kërkuar drejtësi, përmes ushtrimit të padisë kundër Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Do të doja shumë që të vazhdoja më tutje”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë, por shton se i duhet mbështetje financiare dhe juridike për ta bërë një të tillë.

“Në qoftë se do të kem përkrahje nga institucionet e Kosovës, unë kurrë s’kam për të heshtur derisa të vij te drejtësia. Dihet se si ka shkuar procesi në Beograd. Ka qenë gjykim formal, vetëm sa për të thënë se kinse po gjykohet. Në fund: zero. I dënuari është arratisur”, tregon Gashi.

Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës u mundëson qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kohën kur ata konsiderojnë se shteti i caktuar ua ka shkelur të drejtat. Kjo gjykatë trajton çdo rast kur ankuesi është personalisht dhe drejtpërdrejt viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në protokollet e saj.

Shkelja duhet të jetë kryer nga një shtet që ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ankuesi duhet t’i ketë shfrytëzuar, paraprakisht, të gjitha shkallët e gjykimit në vendin ku kanë ndodhur shkeljet.

Nënshkruese të Konventës janë të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë Serbinë.

Një mekanizëm më shumë për drejtësi

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe profesoreshë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se përfitimi më i madh nga anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, do të jetë pikërisht qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kjo gjykatë, sipas Mushkolajt, përfshihet drejtpërdrejt për t’i detyruar shtetet që t’i respektojnë të drejtat e garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pa atë mekanizmin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ne u nënshtrohemi plotësisht kthetrave të institucioneve të Kosovës dhe gjyqësorit të Kosovës. Dhe, në fund, maja më e lartë ku ne mund t’i adresojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, thotë Mushkolaj për REL.

Ajo, po ashtu, shpreh bindjen se anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ndikojë edhe në forcimin e gjyqësorit të Kosovës.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta shtrëngojë gjyqësorin tonë që ta respektojë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mund ta merrni me mend se si do të ndihej gjyqësori ynë, nëse vendimet ia rrëzon Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Mushkolaj.

Sipas rregullave, nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstaton shkelje të një ose më shumë të drejtave dhe garancive që parasheh Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykata mund të nxjerrë vendime detyruese që i obligojnë shtetet të pajtohen me të.

Institucionet “bëhen më të përgjegjshme”

Drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Leonora Kryeziu, thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte një hap shumë pozitiv për respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sipas saj, qytetarët e Kosovës, përveç instancave vendore, do të kishin qasje në një instancë më të lartë, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo, shton ajo, do t’i bënte institucionet e Kosovës më të përgjegjshme.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë më vigjilente, shumë më të përgatitura, sepse vendi mund të përballet pastaj me një numër shumë të lartë të ankesave, të cilat qytetarët mund t’i dërgojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Kryeziu.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.

Aplikacionin për anëtarësim e shqyrton Komiteti i Ministrave evropianë dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e shumicës prej dy të tretave.

Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës ka nxitur reagime të ashpra në Serbi, ku zyrtarët e atjeshëm janë zotuar se do të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, nga shtete të ndryshme në botë.

/GazetaSinjali/