Ambasadori i Qipros në Serbi, Dimitrios Teofilaktu është deklaruar lidhur me qëndrimin e shtetit të tij rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e demokratik. Ai tha se vendi i tij ka “qëndrim konsistent për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës”.
“Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent, dhe jo vetëm sepse kemi një problem të ngjashëm. Për të qenë të besueshëm, duhet të udhëhiqemi nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai, raportojnë mediat serbe.
Teofilaktu gjithashtu tregoi edhe pasojat që vijnë nga ky qëndrim i tyre.
“Pavarësisht nga pasojat ekonomike apo të tjera, shtetet nuk duhet të marrin vendime nën presion”, tha ai.
Ai shtoi se Qipro mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur zbatimin e “dispozitave që kanë të bëjnë me komunat serbe në Kosovë”.
Qipro është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe së fundmi votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.