Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, thotë se mardhëniet Kosovë-Serbi duhet të zgjidhen para se Serbia të bëhet anëtare e BE-së, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sundimi i ligjit vendos gjithashtu shpejtësinë me të cilën Serbia po i afrohet BE-së. Kosova nuk është çështja e vetme, ka shumë tema të tjera teknike. Serbia është në mes të këtij procesi. Por po, normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është i nevojshëm. Ekziston një proces negociatash, Miroslav Lajcak po e udhëheq atë në emër të BE dhe qëllimi është që të dy palët të bien dakord mbi një marrëveshje të plotë që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ambasadori Schieb për mediat serbe.
Tutje, Schieb deklaroi sot se ka përshtypjen se imazhi i Bashkimit Evropian nuk është aq pozitiv në Serbi.
Por, sipas tij, Serbia duhet të bëhet anëtare e Bashkimit.
“Sigurisht që mund të përfitojë nga ato që BE ka për të ofruar. Ne duhet të punojmë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive”, ka thënë ai për mediat serbe./Gazeta Sinjali/