image Ambasadori gjerman në Beograd: Bombardimi i Jugosllavisë ishte i nevojshëm për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë

Rajon

Ambasadori gjerman në Beograd: Bombardimi i Jugosllavisë ishte i nevojshëm për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë

news image

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje diskutabile, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas Schieb, reagimi ishte i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam në dijeni që ishte një çështje diskutabile dhe që s’kishte vendim të Këshillit të Sigurimit (për të nis ndonjë veprim ushtarak), por disa vendime duhet marrë, qëllimi ishte shmangia e një katastrofe humanitare, shmangia e gjenocidit”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai ka thënë se bombardimi për Serbinë ka qenë një gjë shumë e vështirë, por ka shtuar se duhet ditur që një veprim i tillë nuk ka ndodhur pa ndonjë arsye të madhe.

Po ashtu, Schieb ka folur edhe për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar si të nevojshme vazhdimin e negociatave.

“Finalja e procesit është e qartë, që duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve”, ka thënë Schieb.

I pyetur nëse Gjermania mund të kushtëzojë mbështetjen për Serbinë në rrugën e saj evropiane nëse Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Schieb tha se “është më shumë se një pyetje hipotetike” dhe se “nuk dëshiron të jetë kaq pesimist”.

“Ne shpresojmë që të dy palët të jenë konstruktive, negociatat nuk mund të përfundojnë pozitivisht nëse nuk ka besim dhe atmosferë të mirë. “Ne u bëjmë thirrje të dy palëve të shmangin deklaratat që mund të përkeqësojnë atmosferën dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi”, ka thënë ndër të tjera diplomati gjerman./Gazeta Sinjali/