Ambasadori Gerard McGurk, diplomat karriere në Shërbimin Diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar, është emëruar shefi i ri i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të hënën mori zyrtarisht detyrën e re.
Në fjalën e tij inauguruese, McGurk u zotua të angazhohet me të gjitha kapacitetet për përmirësimin e qeverisjes së mirë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për rritjen e sigurisë publike për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Karriera e tij diplomatike përfshin pjesëmarrjen në Ekipin e Statusit Përfundimtar të Qeverisë Britanike, në mbështetje të të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, si dhe detyra kyçe në Zyrën për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim (FCDO) si Zëvendësdrejtor dhe Shef i Departamentit të Sigurisë e Reziliencës.
McGurk ka përfunduar studimet Master në Administrim Biznesi (MBA) dhe, përveç gjuhës amtare angleze, flet rrjedhshëm edhe maqedonisht dhe spanjisht.
Gjatë karrierës së tij ai ka shërbyer në poste diplomatike në Shtetet e Bashkuara, Spanjë, Jordani (Amman) dhe Maqedoni të Veriut, duke sjellë një përvojë të gjerë multilaterale dhe bilaterale.
Me këtë emërim, Ambasador McGurk synon të forcojë më tej bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes mandatit thelbësor të OSBE-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!