Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell ka kritikuar ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha për mosrespektimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për punësimin e stafit të kualifikuar në këtë ministri. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë që administrata publike e saj të ketë stafin më profesional të mundshëm.
“Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) e financuar nga Bashkimi Evropian për vite me radhë i jep Kosovës mundësi të përfitojë nga talenti dhe aftësitë e rinisë së saj. Në kuadër të kësaj Skeme, Kosova ka obligim të mos bëjë rekrutime të jashtme në shërbimin civil pa akomoduar gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj. Vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtëpërdrejt me vet zotimin e Kosovës”, ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell.
Ai ka shtuar se stafi i Ministrisë së Integrimit Evropian që kundërshton këtë shkelje duhet të përgëzohet për guximin dhe përkushtimin ndaj ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare, dhe jo të ndëshkohet me vërejtje.
“Kosova ka nevojë për shërbyes të tillë civil që rreshtohen në anën e së drejtës përballë ndikimeve nga politika. Ata janë heronjtë e ditëve të sotme”, ka theksuar në reagimin e tij ambasadori britanik.
Ndërkohë ndaj vendimit të ministres Dhurata Hoxha për shpalljen e konkursit për rekrutimin e stafit, kanë shprehur shqëtësim përmes një reagimi edhe nëntë organizata të shoqërisë civile. /Sinjali/