image Ambasada e Kosovës në Gjermani tregon se a mund të udhëtojnë bashkatdhetarët për në atdhe pas të mërkurës

Diasporë

Ambasada e Kosovës në Gjermani tregon se a mund të udhëtojnë bashkatdhetarët për në atdhe pas të mërkurës

news image

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar bashkatdhetarët që jetojnë atje për masat e reja anti-COVID që qeveria gjermane ka marrë gjatë mbledhjes së sotme, shkruan Gazeta Sinjali.

Përveç mbylljes nga e mërkura, të cilën e paralajmëroi kancelarja Angela Merkel, kjo ambasadë njofton edhe për masat e tjera.

Në mesin e këtyre masave është mbyllja e shkollave dhe çerdheve, përveç për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në punë ku nevojitet prania fizike.

Ndërkaq për bashkatdhetarët që janë të interesuar të udhëtojnë nga Gjermania në Kosovë dhe anasjelltas, kjo ambasadë bën të ditur se kufijtë do të jenë të hapur, por kërkohet respektim i masave të vendosur nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë për testime dhe karantinim.

  • “Nga data 16 Dhjetor 2020 (e mërkure) e deri më 10 janar (2021) Gjermania do të mbyllet sërish.
  • Do të mbyllen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë sikurse dhe tash të ofrojnë ushqime për marrje me vete për t’u konsumuar në shtëpi. Po ashtu  nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit apo mbledhjet në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit  etj. Të hapura do të mbeten vetëm dyqanet për gjësende ushqimore e higjienike dhe dyqanet për shitje me shumicë.
  • Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor do të mbyllen po kështu. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të  kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike. Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.
  • Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum.
  • Lejohen vetëm tubime me pesë vete, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat. Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç.
  • Për të gjithë të interesuarit që duan të udhëtojnë në Kosovë: kufijtë nuk janë mbyllur por për këtë duhet respektuar masat e parapara nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë për testimet dhe karantinimet”, thuhet në njoftimin e ambasadës./Gazeta Sinjali/