image Ambasada britanike në Kosovë shënon ditëlindjen zyrtare të Mbretit Charles III me pritje festive

Kosovë

Ambasada britanike në Kosovë shënon ditëlindjen zyrtare të Mbretit Charles III me pritje festive

news image

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka organizuar mbrëmjen e së enjtes një pritje zyrtare me rastin e ditëlindjes së Mbretit Charles III, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës, partnerë diplomatikë dhe miq të Britanisë.

Sipas njoftimit të ambasadës, aktiviteti është frymëzuar nga traditat britanike të festimeve mbretërore, ku të ftuarit patën mundësi të shijonin tortën tradicionale me fruta të preferuar të Mbretit dhe të përjetonin elemente simbolike të atmosferës së Pallatit Buckingham.

Në kuadër të programit festiv, të pranishmit ndoqën edhe një shfaqje fishekzjarrësh të shoqëruar me muzikë historike të krijuar posaçërisht për evente mbretërore, duke sjellë një përjetim të veçantë kulturor për të ftuarit.

Ambasada britanike theksoi se pritja u organizua në stilin e “festave në kopsht”, një traditë e njohur në Mbretërinë e Bashkuar që synon të bashkojë njerëz nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore në një ambient të hapur dhe festiv.

Në njoftim u nënvizua gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke u shprehur se aktiviteti ishte një mundësi për të festuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.

“Ne ishim krenarë që mirëpritëm miqtë dhe partnerët tanë nga e gjithë Kosova për të shënuar këtë ditë të veçantë dhe për të forcuar më tej lidhjet tona të forta,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/