Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka bërë thirrje për pjesëmarrje në procesin zgjedhor, duke inkurajuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Në një deklaratë publike, ambasada ka bërë të ditur se ekipet e saj kanë qenë të pranishme në disa zona të Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve, ku kanë vëzhguar nga afër mbarëvajtjen e procesit.
“Ekipet e ambasadës sonë kanë vëzhguar zgjedhjet sot në pjesë të ndryshme të Kosovës. Është mirë të shohësh votuesit në Kosovë duke i ushtruar të drejtat e tyre demokratike”, thuhet në deklaratë.
Ambasada britanike theksoi gjithashtu se ende ka kohë për qytetarët që të dalin dhe të votojnë, duke i ftuar ata të marrin pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrjen demokratike.
“Ende ka kohë të dalësh dhe të votosh, prandaj i inkurajojmë të gjithë të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur ata që besojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!