image Ambasada amerikane u kërkon mërgimtarëve që t’i anulojnë pushimet verore në Kosovë

Diasporë

Ambasada amerikane u kërkon mërgimtarëve që t’i anulojnë pushimet verore në Kosovë

news image

Numri i madh i të prekurve, mosrespektimi i masave të vendosura nga institucionet shëndetësore, mungesa e stafit dhe furnizimeve në spitale janë vetëm disa nga shkaqet që Kosova listohet në vendet e para me numrin më të madh të të prekurve me koronavirus. Kështu thuhet në një reagim të ambasadës amerikane, duke i lutur kosovarët që jetojnë në SHBA që t’i anulojnë pushimet verore në Kosovë.

“Nëse planifikoni të hyni apo largoheni nga Kosova këtë verë, ju lutemi që të lexoni të gjithë këtë Alarm Shëndetësor për detaje me rëndësi. E kuptojmë dëshirën tuaj që t’i vizitoni familjen dhe miqtë, por ju bëjmë thirrje që të shtyni apo anuloni udhëtimin në Kosovë këtë verë”, thuhet në paralajmërimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

“Disa spitale janë të tejmbushura me pacientë dhe kanë mungesë të furnizimeve sikur që është oksigjeni apo u mungon stafi i nevojshëm për të monitoruar si duhet pajisjet dhe për të trajtuar pacientët”, thuhet në alarmin amerikan.

Madje, në një njoftim në ueb faqen e tyre, kjo ambasadë potencon se rregullat për parandalimin e koronavirusit në vendet publike po shmangen dhe nuk po respektohen.

“Niveli i infeksioneve të reja për kokë banori është rritur vazhdimisht në disa javët e kaluara dhe tani është një prej më të lartëve në botë. Fatalitetet që ndërlidhen me COVID-19 po rriten. Për më tepër, edhe pse masa për distancim social dhe bartja e maskave të fytyrës janë të obligueshme, rregullat haptazi po shmangen në vendet publike siç janë restorantet, shitoret dhe kafenetë”, shkruan ambasada e SHBA-së.

Tutje, ajo paralajmëron që kjo ambasadë nuk mund të asistojë pacientët individual që sëmuren nga COVID-19

“Stafi i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë nuk kanë qasje në ndonjë objekt alternativ mjekësor. Edhe pse ne e koordinojmë asistencën mjekësore dhe donacionet me ministritë dhe institucionet, ne nuk mund të asistojmë pacientët individual që sëmuren nga COVID-19”, paralajmëron ambasada. /Gazeta Sinjali/