Ambasada amerikane në Beograd ka kujtuar vëllezërit Bytyqi nga Kosova, në 22-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë të lëshuar nga kjo ambasadë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta harrojnë kurrë këtë krim.
Ambasada ka thënë se zbardhja e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe mbajtja në përgjegjësi e autorëve të vrasjes mbetet prioritet sa u përket raporteve dypalëshe me Serbinë.
“Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Dhënia e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kanë kryer dhe mbuluar vrasjet e tyre, mbetet një përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.
“Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim të policisë speciale serbe. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë lindore, nën kontrollin e një njësie të udhëhequr nga Goran Radosavljevic – Guri”.
Deklarata e plotë:
“Kanë kaluar njëzet e dy vjet që kur tre amerikanë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim të policisë speciale serbe. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore, nën kontrollin e një njësie të udhëhequr nga Goran Radosavljevic – Guri.”
“Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, megjithatë pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur një hetim të plotë. Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim.”
“Dhënia e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familja e tyre dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kanë kryer dhe mbuluar vrasjet e tyre mbetet një përparësi në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë.”
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast ndër vite, për një hetim të plotë. Kjo çështje dhe shumë të tjera, ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia të zgjidhë hetimet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit.”/Gazeta Sinjali/