image Ali Ahmeti: Ndërhyrja nga Kosova në zgjedhje, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

Rajon

Ali Ahmeti: Ndërhyrja nga Kosova në zgjedhje, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

news image

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se edhe Kosova ka një obligim moral dhe kombëtar që ta ngrejë zërin dhe të mos pajtohet me rrezikimin apo cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo, Ahmeti ka shtuar se nuk është mirë që të bëhet ndërhyrje as nga Shqipëria e as nga Kosova, duke thënë se nga ndërhyrja në zgjedhje nga Kosova ka një kosto të lartë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

“Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë.

“Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit. Stoilkoviqi është mik i [Vladimir ] Putinit dhe i [Aleksandër] Vuçiqit, gjë që ai e pranon dhe madje krenohet me të. Ky është rezultat i mosnjohjes së rrethanave në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo ndërhyrje që është bërë nga autoritete, jo të gjithë, nga Kosova, ka një kosto të lartë për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta ngrenë zërin, që gjuha shqipe mos t’u rrezikohet dhe përfaqësimi etnik të mos cenohet.

“Kjo nuk është çështje partiake, por një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por u takon edhe shqiptarëve të Shqipërisë. Institucionet në Shqipëri, i obligon dhe detyron Kushtetuta që të ngrenë zërin kundër padrejtësive që mund t’u shkaktohen bashkëkombësve të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në Serbi, apo në Mal të Zi”, ka shtuar tutje ai.

/GazetaSinjali/