Të dhënat zyrtare të pasqyruara nga platforma e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) konfirmojnë një trend të jashtëzakonshëm politik në kryeqytet: Aleanca është i vetmi subjekt politik që ka shënuar rritje reale të votave në Prishtinë.
Në një terren politik ku subjektet e tjera tradicionale dhe ato në pushtet kanë pësuar rënie të madhe të votave të numëruara, Aleanca ka regjistruar një ngritje të pastër të mbështetjes qytetare.
Në dritaren e fundit të numërimit, Aleanca ka shënuar rritje duke shkuar nga 4,436 vota në 5,134 vota, duke siguruar kështu plot 698 vota më shumë për subjektin. Ky rezultat merr përmasa edhe më të mëdha kur krahasohet me partitë e tjera në Prishtinë, të cilat kanë pësuar rënie të theksuara: Lëvizja Vetëvendosje ka rënë për 16,302 vota më pak, Partia Demokratike e Kosovës ka pësuar rënie prej 3,697 votash, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka regjistruar 1,624 vota më pak.
Ky rizgjim i strukturave dhe ky rezultat pozitiv vjen si pasqyrim i drejtpërdrejtë i lidershipit të ri të instaluar në parti. Ky sukses i atribuohet padyshim kryetarit të ri të degës së AAK-së në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, i cili u zgjodh në krye të kësaj dege para vetëm pak javësh. Përgjatë një periudhe tejet të shkurtër fushate dinamike, Smajlaj arriti të mobilizojë strukturat, të bashkojë rininë dhe të rikthejë besimin e qytetarëve, duke e shndërruar Aleancën në forcën e vetme në rritje brenda kryeqytetit.
Ky mobilizim i shpejtë dhe i suksesshëm mban gjithashtu vulën e kryetarit të ri të Aleancës, Ardian Gjini. Edhe Gjini, ngjashëm si Smajlaj, mori udhëheqjen e partisë dhe garën si kandidat për kryeministër vetëm pak javë më parë.
Megjithatë, koha e shkurtër nuk ishte pengesë. Përkundrazi, kjo periudhë e pak javëve fushate dëshmoi se lidershipi i ri, me energji modernizuese dhe vizion të qartë, arritën të prodhojnë të vetmen rritje nga të gjitha subjektet në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!