Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare, Kadri Veselin e Ramush Haradinajn.
Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar Veselit të premten, thuhet se takimi ka qëllim bashkëbisedimin për disa tema për vendin, shkruan Gazeta Sinjali.
“Më lejoni që t’ju ftoj në takim për të bashkëbiseduar mbi programin tonë qeverisës dhe sfidat që i kemi në shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe politikën e jashtme në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën që Kurti ia ka dërguar Kadri Veselit.
Për takimin e mundshëm, Kurti ia ka caktuar edhe orarin për katër ditë, derisa ftesa e tij është refuzuar nga Veseli deri tash.
“Sot, e premte, pas orës 18:00; Të dielen, kurdo; Të hënën, ora 10:00; Të martën, ora 09:00 ose 12:00”, thuhet në opsionet e Kurtit për takimin me Veselin.
Kurti i ka dërguar ftesë të ngjashme edhe ish-kryeministrit, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt. /Gazeta Sinjali/