Klubi basketbollistik i qytetit të Gjilanit, KB Drita, është shuar si shkak i problemeve financiare. Kjo u bë e ditur nga kapiteni i këtij klubi, Qëndrim Demi.
”Përfundon rrugëtimi i klubit të basketbollit “Drita” meshkujt . Një klub me një histori të pasur dhe një trashëgimi të ndërtuar me mund e përkushtim nga breza të tërë, sot po mbyll kapitullin e tij të rëndësishëm në fushën e sportit. Drita nuk ishte vetëm një klub, ishte simbol i pasionit dhe i bashkimit të komunitetit tonë. Ishte vendi ku qindra të rinj u formuan, ku fëmijët dhe të rinjët e gjetën shpresën dhe krenarinë përmes sportit. Mirëpo, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së mbështetjes së duhur, ky udhëtim ka ardhur në fund. Ndonëse “Drita” sot shuhet, shpresa mbetet që një ditë të rilindë për t’i dhuruar komunitetit tonë sërish atë ndjesinë e veçantë që vetëm një klub si ky mund të ofronte”, ka shkruajtur Demi.
E i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dikur thoshte se Drita ka zgjidhur problemet financiare dhe synon “majat e basketbollit vendor”.
“Më në fund, pas një angazhimi të gjatë e aspak të lehtë, K.B. DRITA tashmë ka zgjidhur problemin financiar. Bashkërisht po synojmë majata e basketbollit vendor. Shumë shpejt, K.B Drita rikthehet në basketboll cilësor e atmosferë të zjarrtë“, kishte deklaruar Hyseni në gusht të këtij viti.