image Alarmohet stafi i MPB-së, dyshohet që dy zyrtare janë infektuar me COVID-19

Shëndetësi

Alarmohet stafi i MPB-së, dyshohet që dy zyrtare janë infektuar me COVID-19

news image

Koronavirusi ka alarmuar Ministrinë e Punëve të Brendshme. Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se së paku dy zyrtare të kësaj ministrie (emra të njohur për redaksinë) dyshohet se janë infektuar me COVID-19.

Zyrtaret që dyshohen se janë infektuar punojnë në Departamentin për Siguri Publike (DSP) dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Dyshimi për infektimin e zyrtareve të këtyre dy departamenteve ka shkaktuar frikë te stafi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët ndjehen të pasigurtë për shkak të kontakteve që kanë dhe që mund t’i kenë pasur me dy zyrtaret.

Të kontaktuar nga Gazeta Sinjali, ushtruesja e detyrës së sekretares së MPB-së, Drita Hasani dhe drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha, kanë mohuar se ka zyrtarë të MPB-së në Prishtinë që janë infekturar me virusin COVID-19. Të ditur e kanë bërë vetëm infektimin e një zyrtari të Qendrës së Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC) në Viti.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Bekim Hoxha ka konfirmuar se pas rastit pozitiv është mbyllur Qendra e ARC-së në Viti.

“Kam informacione se në Viti është dalë një zyrtar i yni. Atje e kemi mbyllë qendrën në Viti. Po pres konfirmimin se çfarë ka ndodhur me zyrtarët”, ka thënë Hoxha për Gazetën Sinjali.

Ndërsa Drita Hasani ka thënë se zyrtarët në qendrën e mbyllur në Viti janë izoluar.

“Në ministri, brenda objektit të ministrisë nuk ka zyrtarë të infektuar. Është qendra në Viti. Qendra e Regjistrimit në Viti. Atje është një zyrtar i infektuar dhe janë izolu të tjerët. Është mbyllur qendra. Për momentin është mbyllë. Shërbimet për pajisje me dokumente kryehen edhe në qendra tjera, ndërsa për regjistrimin e veturave s’ka mundësi teknike”, është shprehur ajo.

Deri në përfundimin e kësaj situate, të gjitha shërbimet e regjistrimit të automjeteve do të bëhen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Gjilan, ndërsa shërbimet për pajisje me dokumente do të bëhen në qendrat e komunave më të afërta. /Gazeta Sinjali/