Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po përballet me një tjetër problem serioz, që prek drejtpërdrejt njerëzit pa të cilët nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje – gjyqtarët dhe zyrtarët e tavolinës zyrtare.
AsistiOnline.com ka mësuar nga disa gjyqtarë, të cilët kanë pranuar të flasin vetëm në kushte anonimiteti, se ata ende nuk kanë marrë asnjë cent për angazhimet e tyre, ndërsa pagesat nuk janë ekzekutuar që nga muaji dhjetor i vitit 2025.
Sipas tyre, gjatë muajve të fundit janë dhënë vazhdimisht premtime se pagesat do të realizohen, por deri më sot ato kanë mbetur vetëm premtime. Ndërkohë, basketbolli kosovar po përgatitet të nisë sezonin e ri në shtator, me referët që ende presin të paguhen për sezonin e kaluar.
“Na është thënë disa herë se pagesat do të bëhen, por asgjë nuk ka ndodhur. Është e papranueshme që të vijë sezoni i ri dhe ne ende të mos jemi paguar për punën që kemi kryer muaj më parë”, ka deklaruar njëri nga gjyqtarët për AsistiOnline.com.
Situata rëndohet kur kihet parasysh fakti se gjyqtarët nuk janë paguar as për Ligën Unike të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë, sipas rrëfimeve të tyre, është fakti se kur FBK ka vendosur të angazhojë gjyqtarë të huaj për ndeshje të caktuara, ata janë paguar me shifra të konsiderueshme, ndërsa referët vendorë vazhdojnë të presin kompensimin e tyre prej muajsh.
Kjo nuk është hera e parë që gjyqtarët vendorë përballen me vonesa në pagesa. Edhe në vitet e kaluara ka pasur probleme të ngjashme me pagesat ndaj referëve dhe zyrtarëve të tavolinës, por sipas burimeve të AsistiOnline.com, asnjëherë vonesat nuk kanë qenë kaq të gjata sa këtë vit, duke e bërë këtë një nga rastet më shqetësuese të viteve të fundit.
Por borxhet ndaj gjyqtarëve dhe tavolinës zyrtare nuk janë të vetmet obligime të papërmbushura të FBK-së.
Sipas informacioneve të siguruara nga AsistiOnline.com, FBK-ja ka edhe detyrime të tjera financiare, made shumë më të mëdha ndaj palëve të ndryshme të interesit, duke ngritur shqetësime të reja rreth gjendjes financiare dhe mënyrës së menaxhimit të obligimeve nga institucioni kryesor që udhëheq basketbollin kosovar.
Është e vështirë të kuptohet se si një Federatë që organizon kampionatet elitare të basketbollit në vend nuk arrin të sigurojë me kohë pagesat për zyrtarët e ndeshjeve.
Gjyqtarët janë hallkë kyçe e çdo gare dhe moskompensimi i tyre për më shumë se gjysmë viti ngre pikëpyetje serioze për mënyrën e menaxhimit financiar dhe prioritetet institucionale.
Ndërkohë, FBK po përgatitet për fillimin e sezonit të ri, me Superkupën dhe garat e tjera vendore që pritet të nisin në muajin shtator, por një pjesë e rëndësishme e njerëzve që mundësojnë zhvillimin normal të këtyre garave vazhdojnë të presin kompensimin për punën e bërë.
Fillimi i një sezoni të ri me borxhe ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve nuk është vetëm një problem administrativ, por një sinjal shqetësues për mënyrën se si po menaxhohen obligimet financiare në basketbollin kosovar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!