image Alarm për stuhi të fuqishme në Kosovë, Estofex vendos vendin në nivelin më të lartë të rrezikut

Kosovë

Alarm për stuhi të fuqishme në Kosovë, Estofex vendos vendin në nivelin më të lartë të rrezikut

news image

Instituti Evropian për Parashikimin Eksperimental të Stuhive (ESTOFEX) ka ngritur alarmin për kushte të paqëndrueshme atmosferike në Kosovë, duke paralajmëruar mundësi për mot të ashpër gjatë pasdites dhe mbrëmjes së sotme.

Sipas parashikimit të publikuar, Kosova është përfshirë në nivelin 3 të rrezikshmërisë, që konsiderohet niveli më i lartë dhe që përdoret vetëm në situata me potencial të madh për fenomene ekstreme atmosferike.

Meteorologët paralajmërojnë se në zonat e përfshira, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, veriun e Shqipërisë, pjesë të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ekzistojnë kushte për zhvillimin e stuhive të fuqishme, me mundësi për reshje intensive, breshër të madh, erëra të forta dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.

Sipas ekspertëve, situata lidhet me një atmosferë shumë të paqëndrueshme, ku disa parametra meteorologjikë favorizojnë zhvillimin e stuhive të forta.

Megjithatë, meteorologët theksojnë se ky paralajmërim nuk nënkupton se fenomenet ekstreme do të ndodhin patjetër në çdo zonë, por tregon ekzistencën e një potenciali të lartë për mot të rrezikshëm.

Qytetarëve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, veçanërisht gjatë udhëtimeve, ndërsa këshillohet që automjetet dhe objektet e ndjeshme të mbrohen nga dëmet e mundshme nga era dhe breshëri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/