image Alarm në Spanjë: Temperaturat pritet të arrijnë deri në 44 gradë Celsius

Alarm në Spanjë: Temperaturat pritet të arrijnë deri në 44 gradë Celsius

news image

Spanja ka hyrë në valën e dytë të të nxehtit për këtë verë, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë lëshuar alarme për pjesën më të madhe të vendit për shkak të temperaturave ekstreme.

Agjencia Shtetërore Meteorologjike e Spanjës (AEMET) njoftoi se vala e të nxehtit ka nisur këtë të diel dhe pritet të zgjasë të paktën deri të martën, me temperaturat që në disa zona mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius, ndërsa në ditët në vijim nuk përjashtohet që ato të shkojnë edhe deri në 44 gradë.

Sipas parashikimeve, të hënën temperaturat do të lëvizin mes 38 dhe 40 gradë Celsius në disa rajone të veriut, ndërsa në jugperëndim të vendit priten temperatura të përhapura prej 39 deri në 41 gradë.

Meteorologët paralajmërojnë se dita më e vështirë e kësaj vale të nxehti pritet të jetë e hëna, kur temperaturat do të vazhdojnë të rriten në disa pjesë të vendit. Të martën, në disa zona të Spanjës, termometri mund të shënojë deri në 44 gradë Celsius, duke rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve.

Autoritetet spanjolle kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

Sipas AEMET-it, temperaturat pritet të mbeten shumë të larta edhe të mërkurën, ndërsa një rënie graduale e tyre parashikohet të nisë nga dita e enjte.