Në Pentagon është ndërmarrë një operacion i gjerë sigurie pasi sistemet e brendshme të monitorimit të cilësisë së ajrit kanë detektuar një problem të mundshëm, që dyshohet se mund të lidhet me praninë e materialeve të rrezikshme në ajër.
Si masë paraprake, disa kate dhe korridore të ndërtesës janë mbyllur, ndërsa pjesë të tjera janë evakuuar menjëherë për të garantuar sigurinë e personelit. Në zonat e prekura është dhënë edhe urdhri “shelter-in-place”, që nënkupton që personat duhet të qëndrojnë brenda dhe të mos lëvizin deri në njoftim të radhës.
Zyrtarët e Pentagonit kanë bërë të ditur se masat janë ndërmarrë vetëm për arsye sigurie, ndërsa ende nuk është përcaktuar shkaku i saktë i alarmit. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për rrjedhje kimike, gaz apo ndonjë substancë tjetër të rrezikshme.
Në terren janë angazhuar ekipe të specializuara për trajtimin e materialeve të rrezikshme, si nga Pentagoni, ashtu edhe nga Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Arlington, të cilët po punojnë për identifikimin e burimit të alarmit dhe sigurimin e zonës.
Autoritetet kanë konfirmuar se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar dhe nuk është identifikuar asnjë substancë konkrete e rrezikshme. Hetimet dhe kontrollet teknike po vazhdojnë, ndërsa situata mbetet nën monitorim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!