Përmbytjet e shkaktuara nga tajfuni Maysak kanë krijuar një situatë të pazakontë dhe të rrezikshme në qytetin Hengzhou, në jug të Kinës, ku rreth 900 gjarpërinj janë liruar pas vërshimeve.
Shumë prej zvarranikëve dyshohet se janë helmues dhe besohet se kanë ikur nga një fermë për rritjen e gjarpërinjve, e cila është përmbytur nga ujërat.
Sipas mediave shtetërore kineze, tajfuni ka shkaktuar deri më tani 39 viktima. Një grua ka humbur jetën pasi është kafshuar nga një gjarpër, që dyshohet të ketë qenë kobër, ndërsa janë raportuar edhe disa raste të tjera kafshimesh.
Pamjet e publikuara nga banorët në rrjetet sociale tregojnë gjarpërinj duke notuar nëpër rrugët e mbuluara nga uji, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te qytetarët.
Edhe pse fillimisht autoritetet e minimizuan rrezikun, më vonë u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin çdo kontakt me gjarpërinjtë dhe të tregojnë kujdes të shtuar.
Në zonat e prekura janë angazhuar ekipe të specializuara për kapjen e zvarranikëve, ndërsa janë rritur rezervat e antidotit dhe spitalet janë vendosur në gatishmëri për trajtimin e rasteve të mundshme të helmimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!