Rrugëtimi i njerëzimit drejt yjeve mori një kthesë të re më 5 maj të vitit 1961, kur astronauti Alan Shepard hyri në histori si amerikani i parë që udhëtoi në hapësirë. Ky fluturim përfaqësonte një moment kyç në garën hapësinore gjatë Luftës së Ftohtë dhe shënoi fillimin e përfshirjes aktive të SHBA-së në eksplorimin kozmik.
Shepard udhëtoi me anijen kozmike Freedom 7, në një mision që zgjati vetëm 15 minuta, por që ndryshoi përherë rrjedhën e programit hapësinor amerikan. Gjatë këtij fluturimi suborbital, ai arriti një lartësi prej 185 kilometrash, duke përshkuar një rrotullim jo të plotë përreth Tokës.
Ky mision ishte pjesë e programit Mercury, programi i parë hapësinor i NASA-s, që kishte për synim dërgimin e njerëzve në hapësirë dhe kthimin e tyre të sigurt në Tokë. Shepard ishte një nga shtatë astronautët origjinalë të përzgjedhur nga NASA në vitin 1959 për këtë program, vetëm dy vite pasi kishte përfunduar studimet në Kolegjin e Luftës Detare në Newport, Rhode Island.
Pas suksesit të fluturimit të tij të parë, Shepard u caktua si komandant për një tjetër mision me njerëz, por në vitin 1964 iu ndalua fluturimi për shkak të sëmundjes Ménière, e cila prek veshin e brendshëm dhe ndikon në ekuilibrin. Megjithatë, pas një operacioni të suksesshëm në vitin 1969, ai u rikthye në statusin aktiv të fluturimit.
Në vitin 1971, Shepard komandoi misionin Apollo 14, së bashku me astronautët Stuart Roosa dhe Edgar Mitchell. Ky mision përfshiu uljen në zonën Fra Mauro të Hënës, dhe mbetet në kujtesën kolektive për momentin kur Shepard goditi dy topa golfi me një shkop të improvizuar – një demostrim i pazakontë i gravitetit të dobët në sipërfaqen hënore.
Gjatë viteve 1968-1972, 24 astronautë të misioneve Apollo udhëtuan drejt Hënës, dhe vetëm 12 prej tyre patën mundësinë të ecin mbi sipërfaqen e saj – Alan Shepard ishte një prej tyre, duke e përjetësuar emrin e tij në historinë e eksplorimit hapësinor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!