Prokuroria e Tiranës ka kërkuar një masë më të ashpër sigurie ndaj këngëtares së njohur Ruensa Haxhia, e cila akuzohet për kultivim kanabisi.
Por kjo kërkesë, është refuzuar nga ana e Gjykatës së Apelit, e cila ka caktuar për këngëtaren vetëm “detyrim paraqitjeje”.
Enca u la e lirë më 14 Shtator të këtij viti me vendim gjykate. Këngëtarja u arrestua pasi gjatë kontrollit në banesën e saj në Lundër u gjetën disa vazo ku kultivohej kanabis sativa. Mbrojtja pretendoi se qëndrimi me masë më të rëndë, nuk është i nevojshëm pasi nuk përbën rrezik për t’iu shmangur hetimit.
Ata e konsideruan arrestimin të paligjshëm, pasi nuk ka patur urdhër arresti nga gjykata, por vetëm me iniciativë të OPGJ. Mbrojtja deklaroi në seancë se mbjellja e bimës është bërë për kureshtje. Kështu deklaroi edhe këngëtarja më herët, duke thënë se 5 vazot me kanabis i kishte për përdorim vetjak. Ajo u vu në pranga më 12 Shtator, pas një kontrolli në banesë. Policia shoqëroi dhe të dashurin e saj, por ky i fundit u lirua menjëherë pas marrjes në pyetje
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Tiranë me vendimin nr. 2067 Akti, datë 14.09.2023, ka vendosur: Vleftesimin si te ligjshem te “arrestit ne flagrance” te personit nën hetim R. H. dhe caktimin ndaj saj si masë sigurimi atë të “Detyrimit për paraqitje në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve: Nga personi nën hetim me iniciale R.H, i cila kërkoi ndryshimin e vendimit, vlerësimin si të paligjshëm të arrestimit dhe rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal. Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm Tiranë, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues atë të “arrestit në burg”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës./tvklan.al