Shtegtimet dashurore të Demi Moore përgjatë korsisë së kujtesës, janë shoqëruar javët e fundit me zbulime të rëndësishme që jepen të detajuara në një libër të ri të botuar së fundi.
Në promovimin e librit ‘Inside Out’ (Nga Brenda Jashtë), aktorja tregoi një seri intervistash për përvojat tronditëse, duke përfshirë të qenit viktimë e një sulmi seksual, vitet e trazuara me ish bashkëshortin, Ashton Kutcher dhe abuzimin me alkoolin dhe drogën.
Moore diskutoi me gazetaren e televizionit ABC, Diane Sawyer për të shtjelluar historinë e saj.
Historia e saj personale nisi kur ylli i filmit “G.I. Jane”, diskutoi për fëmijërinë e saj të trazuar. Moore tregon se kur ishte fëmijë, mamaja e saj adoleshente përballej me alkoolin.
Moore shkruan se mamaja e merrte me vete në lokale për të tërhequr vëmendjen e meshkujve. Kjo solli sulmin seksual ndaj Moore nga një mashkull që e ëma e njihte.
“Nuk mendoj se ishte një transaksion i drejtpërdrejtë por ajo më ekspozoi ndaj rrezikut”, u shpreh Moore.
Çuditërisht, ajo ia kushtoi librin mamasë së saj, e cila tani është përsëri në jetën e Moore dhe tre vajzave të saj.
Moore u shpreh se libri ka si synim të ndihmojë të gjithë ata që mund të jenë në vështirësi.
Duke u marrë me aktrim, në përpjekje për t’u larguar nga rinia e saj e trazuar, Moore tregon se nuk kishte asgjë për të humbur. Daljen e parë televizive e pati në moshën 19-vjeçare, në telenovelën “General Hospital” të shfaqur në televizionin ABC.
Moore zbuti frikën që kishte në këtë industri duke përdorur alkool dhe kokainë. Si për ironi, kjo gjë i shërbeu kur luajti rolin e një përdoruese kokaine në vitin 1985 në filmin “St. Elmo’s Fire”.
Rritja e karrierës së saj ka qenë e dokumentuar mirë në filmat “Ghost”, “A Few Good Men”, “Indecent Proposal” dhe “G.I. Jane”, duke e bërë atë ndër aktoret më të paguara në Hollywood.
Moore mori nofkën “Gimmie Moore” (më jep më shumë). “Pse nuk duhet të jap më shumë? Pse nuk duhet që gratë të paguhen në varësi të punës që bëjnë?”, u shpreh Moore.
Më vonë ajo bëri një periudhë pushimi nga Hollywoodi për të rritur tre vajzat e saj me ish-bashkëshortin Bruce Willis.
“Mendoj se kemi bërë një punë të mrekullueshme duke i bërë vajzat tona të kuptojnë se i duam shumë,” tha ajo.
Lidhja e dashurisë mes Moore dhe Ashton Kutcher u përfol shumë në revista për shkak të diferencës së madhe të moshës. Moore ishte 40- vjeç dhe sapo ishte ndarë nga Willis. Kutcher ishte 25-vjeç.
“Isha një 40-vjeçare e suksesshme”, shkruan Moore në libër. “Jeta e Ashton sapo kishte filluar. Nuk e kisha kuptuar këtë gjë. Ndihesha si një vajzë 15-vjeçare.”
“Mendoj se isha përgjegjëse për kaq shumë në jetën time dhe papritur u hap një derë ku ndihesha e sigurt. Kisha para. Ai i donte fëmijët e mi dhe nuk kishte frikë nga situata ime”, u shpreh Moore.
Megjithatë vitet e lumtura nuk zgjatën shumë. Libri i saj duket se fajëson Kutcher për tradhtinë ndaj Moore dhe për eksperimente seksuale.
Në një interviste me prezantuesen Ellen DeGeneres që u transmetua dje, Moore u shpreh se para publikimit të librit, kishte biseduar me Kutcher dhe se të gjitha eksperiencat ishin rrëfyer nga këndvështrimi i saj.
Moore tregoi se në moshën 42-vjeçare mbeti shtatzënë, por dështoi kur ishte në muajin e gjashtë. Ajo dhe Kutcher kishin provuar fertilizimin ”in vitro” disa herë.
Në nëntor 2011, çifti i dha fund martesës gjashtëvjeçare. Ndërsa në vitin 2013 u divorcuan, pasi Kutcher shoqërohej me aktoren Mila Kunis.
“Arsyet e përfundimit të kësaj martese nuk kishin të bënin vetëm me marrëdhënien tonë, por me jetën time. Kishin të bënin me vajzën 2- vjeçare që nuk ndihej e sigurt. E ndjeja që njerëzit nuk më donin dhe se nuk meritoja asgjë”, u shpreh Moore.
Intervista e Sawyer do të vazhdojë të transmetohet në platforma të shumta të televizionit ABC si dhe në shfaqjet “Good Morning America” dhe “Nightline”. /Gazeta Sinjali/