I ftuari special i mbrëmjes së kaluar në “Grande Fratello VIP” në Itali ishte aktori i njohur Gabriel Garko, emri i vërtetë i të cilit është Dario Oliviero.
Garko realizoi një takim me ish-partneren e tij, aktoren Adua Del Vesco, me të cilën ishte i fejuar nga viti 2015 deri në vitin 2018.
Aktori kishte shkruar një letër për Adua-n, ku foli për marrëdhënien e tyre dhe faktin që tashmë kishte gjetur veten dhe kërkonte të jetonte i lirë.
Megjithëse nuk e tha në mënyrë të drejtpërdrejtë, Garko la të kuptohet para kamerave se po fliste për seksualitetin e tij.
“Të kam shkruar një letër dhe dua ta lexoj. Adua, Rosalinda [emri i vërtetë i Adua-s], ti kurrë nuk më ke thirrur Dario apo jo? Një djalë që e fshiva, e vrava dhe dua ta kthej në jetë. E di që këto gjëra që do të them do të vijnë si surprizë për ty, jo sepse ti nuk e di, por sepse nuk e di që do t’i them këtu.
Ne jetuam bashkë një përrallë të bukur…të bukur, por përrallë. Dhe në përralla ka nga ata që dëgjojnë, nga ata që shkruajnë dhe nga ata që i interpretojnë. Dua të të them të bësh si unë, të gjesh fëmijën brenda teje. Fëmija u kthye në jetë dhe sot më shumë se kurrë dua të të them se nuk gjej dot më një maskë që më përshtatet.”- rrëfeu aktori mes emocionesh.
Gjithashtu, Garko pranoi se vetëm tashmë kishte mundur të ishte i lirë nga karakteri që e kishte mbërthyer prej vitesh, të cilit iu referua me “sekreti Pulcinella”. Në kulturën napolitane, ky karakter hiqet sikur s’di asgjë kur në fakt di shumë gjëra, apo e anasjellta.
Kur u pyet nga moderatori se ç’nënkupton sekreti Pulcinella, aktori u shpreh:
“Nuk mendoj se ka nevojë për shumë shpjegime. Jemi në 2020-n.”
Për të gjithë ata që duan ta dëgjojnë edhe njëherë nga goja e tij këtë “sekret”, Gabriel Garko do të jetë i ftuar në një intervistë për të vërtetën me Silvia Toffanin, më datën 3 të muajit tetor. /Gazeta Sinjali/