image ‘Aktivizohen’ grupet kriminale? Dyshohet për të shtëna me armë afër klinikës ku po trajtohet Andi Pajaziti

Siguri

‘Aktivizohen’ grupet kriminale? Dyshohet për të shtëna me armë afër klinikës ku po trajtohet Andi Pajaziti

news image

Foto ilustruese


Vrasja e rëndë në “Bon Vivant” siç duket ka ‘aktivizuar’ grupet kriminale në të cilat janë të përfshirë edhe vet të dyshuarit për këtë krim që tronditi kryeqytetin. I dyshuari kryesor, Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani” nuk ka arritur të shpëtojë nga prangat e Policisë dhe tashmë ndaj tij është marrë vendim për paraburgim. Por këtë masë sigurie, i riu me të kaluar kriminale, nuk po e shijon në “qeli”, pasi është i shtrirë në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.

Afër klinikës ku ai po merr trajtim, siç thonë burimet  e Sinjalit brenda kësaj qendre, dikush dyshohet se mbrëmë ka shtënë me armë.

Sipas informacioneve të para, Policia ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zbuluar personin apo personat që dyshohen se gjuajtën me armë.

Ndryshe, dje është mbajtur seanca ndaj Pajazitit dhe dy të dyshuarve të tjerë, të përfshirë në këtë rast, ndaj të cilëve, Gjykata ka caktuar një muaj paraburgim.

Pajaziti dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Çka thuhet në dosjen e prokurorisë, ku tregohen detaje se si ndodhi vrasja në “Bon Vivant”

Sipas kërkesës për paraburgim, të siguruar nga Gazeta Sinjali, i ndjeri Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Dukagjin Nikollajn dhe një person tjetër, kur në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadanin dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri K.R. si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani.”.

Sherri nisi aty, kur sipas Prokurorisë, Pajaziti dhe Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht, e më pas, i ndjeri Ramadani e kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tij.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, në atë moment i ndjeri K.R. e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas K.R. e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të K.R., kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri K.R. shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/