image Aktivisti i VV-së arrestohet për dhunë në familje, dyshohet se e bëri për spital bashkëshorten e tij

Siguri

Aktivisti i VV-së arrestohet për dhunë në familje, dyshohet se e bëri për spital bashkëshorten e tij

news image

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Shumë herë ka pasur raste të tmerrshme të dhunës në familje, që kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur edhe dje në Gjakovë, ku burri dyshohet se ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili njoftoi se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Me datën 22.12.2022 është arrestuar personi mashkull i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Rasti ka ndodhur në rrugën “Mark Malota” në Gjakovë  Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje”, tha Elezaj.

Ndërkohë Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuar për këtë rast është aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gerolld Nikoliqi.

Nikoliqi i cili si fotograf tash është pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, dyshohet se ka keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht në mënyrë sistematike bashkëshorten e tij.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 35-vjeçari dyshohet që ishte nën ndikim të alkoolit dhe për këtë arsye i është nënshtruar edhe alkotestit në stacion policor, ku ka rezultuar me një nivel alkooli në gjak.

Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka marrë lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës njoftojnë se viktima ka shkuar atje me lëndime të dukshme në trup dhe të njëjtës i është ofruar shërbim mjekësor.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje‘.

Kujtojmë se Nikoliqi edhe më parë kishte pasur telashe me ligjin, si shkak i aktiviteteve të tij me LVV-në.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/