image Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës ndaj ish-drejtorit të Kulturës në Suharekë

Drejtësi

Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës ndaj ish-drejtorit të Kulturës në Suharekë

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.B., ish- drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, si dhe ndaj A.M., person përgjegjës i një operatori ekonomik.

B.B. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa A.M. për “Keqpërdorim apo mashtrim në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, B.B., në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve 1912–1945” në fshatin Samadraxhë, dyshohet se nga 23 shtatori 2019 deri më 20 dhjetor 2021 ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësonte përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

Prokuroria pretendon se, në kuadër të kontratës me vlerë të përgjithshme prej 28 mijë e 650 eurosh, ai kishte nënshkruar një pagesë prej 5 mijë eurosh, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë.

Megjithatë, sipas aktakuzës, punimet në terren nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur kërkesë për kolaudim apo ndryshim të tyre.

Me këto veprime, Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 5 mijë eurosh, i cili, sipas Prokurorisë, është vërtetuar edhe përmes ekspertizës së ndërtimtarisë.

Ndërkaq, A.M., në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik, dyshohet se nuk i ka zbatuar detyrimet që rridhnin nga kontrata e prokurimit publik.

Ai pretendohet se e kishte pranuar pagesën prej 5 mijë eurosh, ndonëse punimet nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/