Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda , ka ngritur aktakuzë ndaj tre ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për skandalin me patentë shoferë në kohën e Pal Lekajt, shkruan Gazeta Sinjali.
Për dyshimin se 80 persona janë pranuar si ekzaminerë (pyetës) për patentë shoferë në mënyrë të jashtëligjshme, akuzohet Pjetër Ndou, këshilltar i ish-ministrit Pal Lekaj, Nebih Shatri, ish UD i sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, si dhe ndaj Kadri Krasniqit, ish-drejtor i Departamentit të Automjeteve në MI.
Ish-zyrtarët e MI-së, dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë marrë ryshfet për kandidatët –licensimin e pyetësve teorikë për patentë shoferë dhe për çdo kandidat janë paguar nga 10 mijë euro, duke i zgjedhur kandidatët joprofesionalë.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën e ngritur ndaj tre ish-zyrtarëve.
Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria thuhet se të pandehurit Nebih Shatri në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Kadri Krasniqi, si drejtor i departamentit të automjeteve në këtë ministri, në bashkëkryerje, me qëllim që të tjerët të përfitojnë, si dhe duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Prandaj ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës.
Kështu që, i akuzuari Nebih Shatri, duke qenë në pozitën e UD të sekretarit të Përgjithshëm nuk ka lidhur kontrata pune me 21 pyetës të angazhuar (emra të njohur për redaksinë), duke lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018 në Njësitë Rajonale për patentë shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, si dhe nuk ka zhvilluar asnjë procedurë të rekrutimit.
Për më tepër, sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se Shatri akuzohet se ka ndryshuar emrat e pyetësve të propozuar nga Drejtori i Departamentit për Patentë Shoferë, ashtu që i ka dërguar për vendim te Ministri i MI-së, atëkohë Pal Lekaj.
Sekretari i përgjithshëm pasues, Betim Reçica (i cili është dëshimtar në këtë rast) në mungesë të kontratave ka qenë i detyruar të lidhë kontrata për shërbime të veçanta në mënyrë retroaktive me 44 pyetësit, përfshirë këtu edhe pyetësit teorikë, krejt kjo me qëllim të kompensimit të punës së kryer.
Ndërsa i pandehuri, Kadri Krasniqi duke qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës, me dijeninë e të pandehurit Nebih Shatrit, prokuroria pretendon se gjatë vitit 2017 dhe 2018 ka lejuar hapjen e konkursit për provimin për Licensim për Pyetës Teorikë për Patentë shoferë, pa asnjë planifikim paraprak.
Sipas aktakuzës, Krasniqi ka licensuar pyetës në Njësitë Rajonale në tërë territorin e Kosovës, si dhe nuk ka bërë verifikimin e pyetësve, kështu që ka licensuar 18 pyetës, ndërsa në kundërshtim me nenin 4 pika 1.7 ka licensuar 3 persona të tjerë më ç’rast të pandehurit i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe Ministrisë së Infrastrukturës, gjegjësisht buxhetit të Kosovës.
Lidhur me këtë rast, akuzohet edhe Pjetër Ndou, atëkohë këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ndou akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përftimit të të tjerëve, duke qenë në këtë pozitë në vazhdimësi ka ushtruar ndikim te zyrtarët e së njëjtës ministri për dhënien e provimit të testit teorik për patentë shoferë, punësim dhe tender.
Kështu që i njëjti akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, i lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.
Gazeta Sinjali pas pak ju sjellë detaje të reja nga aktakuza e ngritur e Prokurorisë për këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.