image Aktakuzë ndaj pronarit të 'Albshkolla', mashtroi 11 persona që i punësoi si mësimdhënës

Drejtësi

Aktakuzë ndaj pronarit të ‘Albshkolla’, mashtroi 11 persona që i punësoi si mësimdhënës

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj Driton Ajetit, për mashtrim ndaj punëtorëve të tij në të ashtuquajturën shkollën “Albshkolla”.

Ajeti po ngarkohet se hapi një shkollë të rreme online të quajtur “Albshkolla”, duke punësuar si mësimdhënës dhe pozita tjera 11 të dëmtuar të cilët i mashtroi duke iu premtuar paga nga 400 deri në 1 mijë euro.

“Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, i pandehuri D.A., që nga data 24 dhjetor 2023 deri më datë 28 mars 2024, në vazhdimësi, në biznesin e tij të emërtuar, “Albshkolla”, në Gjilan, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka vënë në lajthim të dëmtuarit I.K, L.H., V.M., F.O., J.S., Y.B., A.V., M.A., R.A., N.S., A.R., duke i mashtruar dhe nxitur që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që i njëjti ka hapur një shkollë të rreme online të quajtur “Albshkolla”, duke punësuar të dëmtuarit si mësimdhënës dhe pozita të tjera, me të cilët ka nënshkruar kontrata me kohë të caktuar dhe ka premtuar paga nga 400 euro deri në 1,000 euro, ku të dëmtuarit, duke rënë pre e mashtrimit, kanë filluar punën, duke dhënë shërbim secili në pozitën dhe rolin e tij, mirëpo i njëjti për këto shërbime nuk i ka paguar”.

Ai po ashtu akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, nga e dëmtuara Y.B., ka marrë një pllakë të arit kinse për t’ia rregulluar, të cilën më nuk ia ka kthyer, e po ashtu përmes platformës së tij të rreme ka nxitur persona të tjerë të paguajnë shumën prej 12 euro, në llogarinë e tij ‘’Albshkolla’’ për shërbime online, e që ky shërbim nuk iu ishte ofruar asnjëherë.

Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi’’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/