image Aktakuzë ndaj 22-vjeçarit dhe katër kamarierëve për falsifikim të mbi 1200 eurove në Prizren

Drejtësi

Aktakuzë ndaj 22-vjeçarit dhe katër kamarierëve për falsifikim të mbi 1200 eurove në Prizren

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave në Prizren, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Të dyshuarit Basri Berisha dhe katër kamarierë T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., dyshohet se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dhe vënë në qarkullim 1 mijë 250 euro, ndërsa, në total Policia ka arritur të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro.

Ashtu siç raportoi Sinjali në fillim të nëntorit, Basri Berisha dyshohet se gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje ka poseduar para të falsifikuara, me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

Në këtë mënyrë, i njëjti, përgjatë kësaj periudhe ia shet të dyshuarit T.P., 1 mijë e 250 euro, të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta.

I dyshuari T.P., sipas Prokurorisë, pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 euro, duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300 euro false paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro false paguan 300 euro origjinale, derisa në herën e tretë për 550 euro false paguan 400 euro origjinal.

Në total, Basri Berisha, dyshohet se ka arritur t’i shes 1 mijë e 250 euro dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”

Ndërsa, të dyshuarit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren.

Policia ka arriutr që t’i gjejë 195 monedha metalike nga 2 eur në veturën ‘’VW Polo’’, në pronësi të të dyshuarit T.P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga 2 euro nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, janë sekuestrojë 390 euro false.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/