image Aktakuzë kundër kosovares së kthyer nga Siria

Siguri

Drejtësi/ Aktakuzë kundër kosovares së kthyer nga Siria

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj N.H., e cila dyshohet se në vitin 2014 “u është bashkuar grupeve terroriste në Siri”.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se aktakuza është ngritur për shkak se N.H. ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

E akuzuara dyshohet se me dashje ka udhëtuar drejt Sirisë, ku është bashkuar me grupet terroriste, si Shteti Islamik dhe Al Nusra.

Ajo është në mesin e dhjetëra grave të kthyera nga Siria në Kosovë, në muajin prill.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.H., me dashje direkte që nga data 26.09.2014, ka kaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, në drejtim të shtetit të Maqedonisë (së Veriut) për në Turqi dhe më pas ka përfunduar në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak, me qëllim që t’iu bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al Nusra”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në fillim të muajit shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” Merita Aliun, e cila po ashtu është njëra prej grave të kthyera.

Aliu është dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim me kusht, pasi ka pranuar fajësinë, duke thënë se është penduar që ka shkuar në Siri.

Në prill, institucionet e Kosovës kanë kthyer nga Siria 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që kanë luftuar për grupin militant Shteti Islamik, 74 fëmijë dhe 32 gra.

Pas marrjes në pyetje nga hetuesia, shumicës së grave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Shumica prej tyre ende e kanë të shqiptar këtë masë./Gazeta Sinjali/